Drit Sokoli rrėfen eksperiencėn e tij nė Universitetin Epoka

September 29th, 2012

Drit Sokoli rrėfen eksperiencėn e tij nė Universitetin Epoka

Drit Sokoli rrėfen eksperiencėn e tij nė Universitetin Epoka

E mbaj mend, katër vite më parë, kur kisha vendosur të studioja për Inxhinieri Ndërtimi, me dëshirën dhe ëndrrën për të kryer studimet e ciklit të parë në një vend perëndimor. Ndoshta, i ndikuar më shumë nga dëshira dhe eksperienca e prindërve të mi, sesa nga dëshira ime, vendosa të zgjedh Universitetin Epoka. Epoka kishte hapur dyert vetëm një vit më parë, kështu që vendimi për të studiuar këtu, në atë kohë, nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë. Fillimi ishte paksa i vështirë, me shumë pikëpyetje në mendjen time, dhe bëhej fjalë për një mjedis të ri që nuk para e njihja.

Megjithese i ardhur me rezultatet më të mira nga gjimnazi, për një gjë isha i sigurt, universiteti ofronte një eksperiencë krejt tjetër. Ndryshimi nuk ishte aq i butë, ngarkesa ishte rritur ndjeshëm, dhe mësimdhënia bëhej vetëm në anglisht. Këto faktorë të bëjnë të ndihesh i dobët, por duhet patur gjithmonë dëshira dhe motivimi për të arritur më të mirën. Me kalimin e ditëve fiton siguri dhe mëson si të mbështetesh e të përfitosh nga njohuritë e mëparshme. Meqë, që nga semestri i parë, lëndët jepeshin nga profesorë me doktoraturë të mbrojtur në universitetet më të mira, ishte e lehtë që t’i kushtohej vëmendja e duhur çdo lënde.

Gjatë viteve, Epoka ofroi mundësinë për t’u marrë me shumë aktivitete jashtë kurrikulare, të cilat në mjedisin ku unë u formova njihen si klube. Dhashë kontributin tim në Klubin Sportiv, si zëvendës president, gjatë vitit të dytë, për të vazhduar në vitin pasardhës, së bashku me shokët e mi, në publikimin e Engineering Zone, një revistë që trajtonte probleme inxhinierike. Publikimi i një reviste inxhinierike, dhe në të njëjtën kohë arritja e rezultateve më të mira në të gjitha lëndët, nuk ishte dhe aq e lehtë për ne, por mendoj se ia ka vlejtur mundimi. Në të njëjtën kohë kam qenë pjesë e Senatit të Studentëve. Epoka organizoi dy konferenca, një akademike, dhe një konferencë për studentët. Si pjesë e Klubit të Inxhierëve të Ardhshëm, u ndihmuam profesorëve tanë në organizmin e këtyre konferencave. Kjo ishte një eksperiencë e paharrueshme dhe shumë e vlefshme.

Përveç aktiviteteve jashtë kurrikulare, pjesa më e rëndësishme dhe që ka ndikuar drejt për drejt në të ardhmen tonë, janë praktikat verore. Duke marrë parasysh nivelin akademik dhe dëshirën e mirë të studentëve, Epoka organizon praktika verore për studentët e vet, për çdo verë. Pas vitit të parë m’u dha mundësia për një praktike verore në Stamboll, në kompaninë “Mutlu Insaat”. Në vitin e dytë, punova për pesë javë në Maçaferri Balkans, këtu në Tiranë. Vitin e fundit gjithashtu m’u dha një mundësi e jashtëzakonshme, e cila ndikoi në formësimin e planeve të mia për të ardhmen. U zgjodha për një praktikë verore në Universitetin e Teksasit, në Austin, ose më saktë në Qendrën Kërkimore për Transport. Këto eksperienca kanë qenë gurë kilometrike për të ardhmen time.

Mendoj se në momentin e duhur, problemet zgjidhen vetë, dhe këtë pata mundësinë t’ia vërtetoj vetes time. Në fillim të këtij viti vendosa të aplikoj për Master Shkencor për Inxhinieri Strukturore, në disa universitete në SHBA. Duke u nisur nga eksperienca e viteve te fundit, dhe i mbështetur nga profesorët e mi, ndjeja që mund të realizoja ëndrrën time të katër viteve më parë. I mbarova aplikimet në fund të dhjetorit, duke i përmbushur të gjitha kriteret, përfshirë provimet e GRE-s dhe TOEFL-it, të cilat rezultuan të ishin shumë të thjeshta, pas katër viteve studimesh në anglisht. Në mars mora përgjigjen shumë të dëshiruar, isha pranuar në Universitetet e Teksasit, në Austin, dhe Ilinoisit, në Urbana, Champaign. Të dy këto universitete bëjnë pjesë në 5 më të mirët në botë për Inxhinieri Strukturore. Rezultatet dhe arritjet e gjimnazit dhe të universitetit më ndihmuan që të hedh bazat e këtij procesi. Çdo gjë që kam përmendur deri më tani, ka patur ndikimin e vet në pranimin tim në universitet.

Letrat e rekomandimit nga Dr. Yetkin Yildirim, drejtor i Qendrës për Ruajtjen e Shtresave të Rrugës në Teksas, dhe supervizor i praktikës time të fundit verore, nga Prof. Dr. Hasan Kaplan, rektori ynë i mëparshëm, si dhe nga supervizor im, Dr. Yavuz Yardim, ishin tejet të vlefshme për aplikimin tim. Tani, pas pranimit, gëzoj mbështetjen e Ministrisë së Arsimit në Shqiperi, nga interesi që ata treguan duke pranuar aplikimin tim për të përfituar nga “Fondin e Ekselencës”.

Në pak ditë diplomohem, i bindur që kam bërë një zgjedhje të mirë duke studiuar tek Universiteti Epoka, dhe me ndjenjën e krenarisë për çfarë ky universitet po i ofron Shqipërisë. Mezi po pres të filloj përgatitjet për masterin në Universitetin e Teksasit në Austin. Mezi po pres të fitoj suksesin e shumëdëshiruar, që do të thotë akoma më shumë punë për t’u bërë. Kthej sytë pas dhe shikoj Universitetin Epoka; punën që kam bërë këtu, mbështetjen nga profesorët, mirësinë e shokëve të mi, dhe ndjej një mirenjohje të thellë. Jam gati për t’i thënë “Mirupafshim” Epokës, por një “Mirupafshim” që nuk është përfundimtare. Ndërkohë, në shpatullat e mia, ndjej peshën e të njëjtit refren: “Vazhdo të kërkosh për ëndrrat e tua, vazhdo të kerkosh rrugen në jetës tënde; nëse është qëllimi yt, do ta arrish.”